dr. anonim

dita II

In drama fizike on 22 Shtator, 2008 at 6:43 pm

Parmbrëmë në darkë u gjenda në barin tim dikur të preferuar, një barkë spanjolle e ngulur në gurët e një sokaku që s’është më shumë i të marrëve se i të mençurve. U gjenda pra aty duke pirë sangria dhe duke biseduar me një mikun tim të stërlashtë (në fakt është një ish i lashtë, me të cilin kemi ngelur miq, fillimisht prej jetëve sociale të varfra reciproke, dhe pasandej ngaqë nuk e bezdisim fare njëri-tjetrin). Kështu pra, kisha ndezur dhe cigaren e n-të të mbrëmjes dhe ndërkohë që e thithja, ndjeva diku rreth solarpleksusit dhe mandej në lobin verilindor të kokës, një tip vakumi që unë zakonisht e identifikoj si nevojë për duhan, gjë që ishte e çuditshme sepse cigarja ime ishte akoma e ndezur dhe unë po e thithja me sa mundja. Më turbullojnë këto gjendje ku më duket se kam nevojë për diçka që në fakt e kam, sepse domethënë që në fakt nuk kam nevojë për atë gjë, por për ndonjë gjë krejt tjetër.

Për t’i rënë shkurt, pasi mbarova sangrian, cigaret dhe ropa copat e portokalleve, u çova të blija duhan, po nuk kish nga imi. E varja, thashë, po e lej fare duhanin. Dhe pas një tundimi nga një bar rrugës për në shtëpi, nuk bleva cigare. Dhe që parmbrëmë nuk kam pirë.Sidoqëtëjetë, më keq se kaq nuk ka ku vete: bursa po shkon për ibret, dashuria duket po ashtu të kalojë kohë krize dhe jetën familjare e bëj një herë në javë në telefon. Kështu që i dhashë dum: po e le duhanin, se s’ka sy për Qabe kjo punë.

Dje ishte e djelë dhe nga sasia e madhe që kisha tymosur pardje, nuk e ndjeva mungesën. Po gjithësesi të djelave ndjehem si e bukosur. Më duket vetja vetëm dhe e trishtuar.

Sot ishte dita 2. U zgjova gjithë qejf në mëngjes se kishte diell. Cigaren e orës 11 nuk e piva. As atë të pasdrekës. Nuk ishte ndonjë zor i madh se ishte aq plevit sa s’të bëhej të rrije jashta dhe brënda nuk lejohet.

E ndjej kokën pak si të mpirë megjithë kafet e shumta. Por kur kujtohem se zakonisht nuk është se e kam dhe aq të shkathët, mendoj se nuk është mungesa e nikotinës që më mpin. Po nuk jam zënë akoma me njeri, përkundrazi, jam në humor më të mirë se javën që shkoi.

Duke u kthyer për në shtëpi, pasi kisha blerë bukë e djathë të bardhë dhe akullore me arra e shurup panje, po shtyja biçikletën për në shtëpi që të përfitoja sa më shumë nga rrezet e diellit. Para meje ecte një grua imcake rreth të pesëdhjetave, veshur me flutura dhe me lule, me flokët e verdha të shpupurisura dhe me një cigare në dorë. Pas ca hapave e hodhi bishtin e cigares së ndezur përtokë dhe unë pata tundimin njëtëqindtësekondësh për ta marrë nga toka dhe për ta thithur një herë. Sigurisht që nuk e bëra.

Nuk është se kam vendosur të mos e ndez kurrë në fakt, por dua të bëj një pushim. Kjo ishte dita e dytë pa duhan. Ndoshta do të shkruaj prapë. Nuk është më vështirë se të rrish pa burrë, gjithësesi.

  1. hej ma merr mendja se si jane nxjerre keto lloj rrjeshtash , ne çfare gjendjeje shpirterore e kam llafin. e megjithate s’kam ç’bej ,e shijova çdo rrjesht.

  2. urime urime….

    se mbase na shtyn dhe ne te tjereve ta leme…

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Lirikashqiptare

trëndafil që rri në portë...

edrus...

Përse të mos qeshim???

Këtë e pëlqejnë %d blogues: