Vendosa të shkruaj këtu sa herë më vjen për të tymosur. Po të mos e kisha kokën si të mpirë, me siguri do shkruaja një libër për një javë.
*
Pas buke
E gjitha kjo është shumë patetike, aq patetike sa s’e shkruaj dot në blogun tim të vërtetë, që nuk është më blogu im i vërtetë, ç’eshtë e drejta. Por të lexosh patetizmin tënd të ndihmon të shkëputesh prej tij, kështu të paktën besoj.
*
duke marrë parasysh se një pjesë të mirë të frymëmarrjes së thellë e bëj duke tymosur, është e lehtë të dalësh në konkluzionin se kam mungesë fryme këto tre ditë. dmth duhet të mendoj më përpara që është e nevojshme të marr frymë, qoftë kjo dhe ajër i pastër.
*
që ta mashtroja veten, i premtova se po të mos pi duhan, do blej gjithë gamën e produkteve kozmetike për fytyrën të një marke të shtrenjtë, po shumë efikase. po shumë të shtrenjtë. nuk më beson (vetja).
*
gjëja e lezetshme është se e di që po të zbres poshtë të blej duhan dhe të ndez një cigare e ta thith fort nuk do ndjehem më mirë se tani. dhe prapë tundimi është i madh.
*
dhe është shumë mirë për lëkurën!!! – i them asaj.
*
nuk është më vështirë se të rrish pa burrë, vetëm se përsa i përket burrit, ky s’gjendet në kat të parë për 5 euro.
*
vuajtja e pritshme është më e rëndë për t’u duruar se vuajtja aktuale. tani psh nuk kam ndonjë dëshirë vrastare për cigare, por mendimi se nuk do pi as pasi të dal nga zyra më krijon një boshllëk në kokë.
eh, 5 euro eshte mall….po ne te shkretet qe paguajme 5€30 si tja bejme???!!!!
te kalojme nej çik ke kjo pika e burrit, se me dogji mua….them se mund te rri gjatttttttttttt fareeeeeeeeeee pa apsolutisht asnje grimce hije seksualiteti (varet se sa me eshte veshirosur gjinia mashkullore dmth)….por sma ha mendja qe mund te rri po aq gjate pa e ndezur njehere.