Papritur, asnjeri përreth, ata janë vetëm në mencën e mbushur tumllas e plot zhurmë. Ajo sheh vetëm atë, sikur të gjitha dritat të ishin fikur përveç asaj që ndriçon fytyrën e tij. Ajo dëgjon vetëm zërin e tij, sikur zallamahia përreth t’ia kishte lënë vendin qetësisë, sikur të gjithë të kishin heshtur rreth tyre. Cast magjik, sytë e tyre u thonë njëri-tjetrit mijëra gjëra. Gojët e tyre vazhdojnë të shkëmbejnë banalitete, ata njihen veçse prej disa minutash, falë rastësisë së shpërndarjes së vendeve në tavolinë. Por zemrat e tyre njihen. « Kjo është dashuria me shikimin e parë ! thotë ajo. Si në libra ». Një javë rresht nuk ndahen. S’ka largësi mes tyre, një fill i padukshëm i tërheq njërin drejt tjetrit, të magnetizuar. E gjejnë njëri-tjetrin në pushimet mes orëve si me magji. Marrdhënia e tyre ështe e lehtë, e rrjedhshme, secili e di atë që jeton tjetri.
Kjo është dashuria me shikimin e parë, por a është vërtetë dashuri ? Kjo mund të kthehet në dashuri të thellë e lidhje të gjatë, ose në një aventurë njëditore.
Miti i dashurisë me shikimin e parë
Përshtypja se njihesh me dikë prej kohësh është turbulluese. Disa përdorin reinkarnacionin si shpjegim. Në fakt, truri ynë duket se lexon nënvetëdijen e tjetrit. Ai, truri, percepton një problematikë të njohur për ne, plotësuese të problematikës sonë, që do të na lejojë të « riluajmë » disa aspekte të « dramës » sonë. Janë pra më shpesh dy plagë që i thërrasin njëra-tjetrës sesa dy persona.
Përse të zgjedhim dikë që do të na rihapë plagët ? Që të mbyllet si duhet, një plagë ka nevojë të pastrohet rrënjësisht. Ne e kemi harruar plagën, por gjëmbi i zhgënjimit është ende aty, i ngulur në mish. Lidhje pas lidhje, ne provokojmë përmbytje, duke zgjedhur gjithmonë të njejtin tip njeriu (të ftohtë, të padisponueshëm…), duke përsëritur të njejtat sjellje të gabuara (bërja e qejfit, fshehja e dobësive, heshtja e dyshimeve apo frikës…). Cdo dështim është rasti për të thënë : « e sigurt, nuk e meritoj të më dojë njeri », një deduksion që vjen drejt e prej fëmijërisë së hershme.
Për të mos thënë « prindërit e mi s’kanë qenë të aftë të më duan », fëmija preferon të mendojë « unë jam i paaftë të bëhem objekt i dashurisë ». Dhe i rritur vazhdon ta bartë me vete këtë bindje dhe kërkon ta vërtetojë vazhdimisht. Jeta dhe eksperiencat dashurore ngarkohen me këtë vërtetim e kësaj teorie. Për sa kohë ne nuk e identifikojmë origjinën e kësaj nevoje për dashuri, mirënjohje, kujdes, si të ardhur nga fëmijëria, për sa kohë ne nuk duam të zbulojmë historinë tonë, të shohim me sy kritik sjelljen e prindërve tanë apo të vëllezërve e motrave ndaj ndesh, ne përsërisim historinë.
Për të dashur vërtetë, për të guxuar afërsinë, intimitetin, duhet të zbrazemi nga ndjenjat e pandërgjegjshme të turpit dhe padenjësisë.
Pasion dhe varësi
Pasioni nuk fillon gjithmonë me qymyr. Mundemi dhe të provojmë armiqësi, deri përbuzje për atë me të cilin do të dashurohemi marrëzisht pak më vonë.
Shabllonet dhe rrethanat e takimeve janë të shumëllojshme. Por diçka ngelet e ngjajshme, sepse fiziologjike… gjendja dashurore. Qymyri, pasioni, janë gjendje fiziologjike sa dhe psikologjike. Shkencëtarët shpjegojnë se gjendja dashurore është e ngjajshme me atë të përftuar nën amfetaminë. Qarqet nervore ngopen me endorfinë, një molekulë e sekretuar nga truri, e ngjajshme me morfinën. Adrenalina stimulon ngacmimin seksual, koha e pasionit është tejet seksuale. Të dehur nga dëshira, mund të bëjmë dashuri dhjetë, njëzet herë në ditë, mund të rrimë në shtrat gjashtëdhjetë e dy orë rresht… Me kalimin e kohës, hipofiza ngopet me adrenalinë dhe epshi bie. Disa nuk e përballojnë dot këtë ulje të dëshirës dhe ndërrojnë partner për të rijetuar dhe njëherë eksitimin e fortë të kohëve të pra. Të droguarit e dashuriës kanë nevojë pa pushim për partner të ri.
Pas rënies së dashurisë, vjen periudha e euforisë. Dëshira për të shprehur gëzimin dhe dashurinë para gjithë botës është e papërballueshme. Duke qenë se neokorteksi stimulohet prej katekolaminave, pengesat e natyrshme zhduken, dhe një i dashuruar është i aftë për çdo gjë. Eshtë dhe periudha e varësisë. Sapo jemi me të dashurin, ndihemi të mbushir me gëzim e paqe…Pa të, është angushti. Mungesa e të dashurit shkakton ulje të nivelit të endorfinave në tru. Ndihemi të çoroditur, si një i droguar pa drogë. Ndarja nuk shkakton vetëm trishtim, shqetësimi është fizik. Irritim, angështi, nevrikosje, mërzi, mungesë interesi për botën e jashtme, mbyllje, rezistencë, çrregullim i oreksit, i gjumit…Kur tjetri kthehet, sinapset rimbushen me endorfina, dhe gëzimi rikthehet. Gjatë pasionit, përhumbja e lumturar dhe vuajtje e thellë i lenë vendin njëra-tjetrës. Varësia dashurore të kujton varësinë ndaj nënës në muajt e parë të jetës. Rikthehen kofliketet, emocionet e mbytura, vuajtjet e lidhura me këtë periudhë. I dashuri, mashkull apo femër, mishëron nënën. Herë është nëna e mirë, e afërt dhe bujare, herë nëna e keqe, e munguar dhe zhgënjyese.
Emocionet e pasionit, si ato pozitive dhe ato negative, janë shpesh të dhunshme e të forta. Arsyeja është se ato riaktivojnë përjetimet e muajve të parë të jetës. Pasionet i kanë në përgjithësi ditët të numëruara ; rrallëherë dashnorët mbërrijnë të bëhen shokë jete. Të pasionuarit shihen sy më sy, vibrojnë dhe marrin frymë njëherazi. Kjo gjendje fuzionale i pengon të largohen nga njëri-tjetri mjaftueshëm për të parë në të njejtin drejtim.
Dashuria e gjatë është historia e vështirë mes lirisë dhe sigurisë, mes përkatësisë dhe personalizimit, mes fuzionit dhe ndarjes, mes lidhjes dhe autonomisë.
Shkëputur nga “Zgjuarsia e zemrës”, I.Filliozat.